Nga Bujar Braho
Në ditën e 74 po ndiqja këmba-këmbës protestën. Qytetarë të lirë në lirën e plotë të tyre shfrynin të gjitha dufet e mbledhura kundër klasës së vjetër politike, e cila ua ka sjellë zorrë jetën deri në kufijtë e të padurueshmes në 35 vite të ashtuquajtura demokraci, ndaj dhe dorëheqja e kryeministrit ishte pak, pa burgosjen e tij dhe të Berishës.
Një poemë e gjatë e sjellë nga goja e qytetarëve të lirë, por ndryshe nga ”Poema e mjerimit” e Migjenit ku vargjet lapidare; ”Kafshatë që s’kapërdihet është o vëlla mjerimi, ….., foltorja 74-ditore tjerr; Kafshatë që s’kapërdihet është o vëlla pushteti, kafshatë që të mbetet në fyt dhe të zë trishtimi…
Më rrodhën ashtu pa kuptuar vargjet, një indicie së brendshmi kur zërat e ngjirur nuk i ndaheshin thirrjeve ”Rama jep dorëheqjen”. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” ka vite që mbahet i pushtuar nga ”Rama ik”, por kryeministria e kthyer në një Mekë, pelegrinët e vonuar të saj janë ndryshe, shumë ndryshe nga ata të ”Shqipëria në rrezik” apo ”Shqipëria bëhet”. Të parëve pushkët e shkrehura për 410 ditë me radhë u dogj baruti në ajër njësoj si dhe i dyti, i vetëm trim në luftë për 70 ditë u tret duke bërë dezhurn para kryeministrisë, i ngjirur duke bërtitur ”Rama ik”.
Statusi i ndryshuar i pelegrinëve ”Qytetarë të lirë”, i ka dhënë një konotacion krejt tjetër protestës, por nuk di teksa dëgjoja kryetarin e PD-së në intervistë me gazetarët para ekranit që shtatori do t’i japë goditjen përfundimtare kryeministrit, më kaluan nëpërmend ”Masonët e Llozhës së kryeministrisë”.
Mos vallë prapa kësaj proteste qëndron në hije qeveria opozitare dhe qytetarëve të lirë, mbasi të kalojë vapa me gushtin, shtatorin njësoj si ”Shqipëria bëhet” edhe ”Shqipëria e re” do t’ia lëshojë bulevardin ”Shqipërisë në rrezik”!? S’ka si ndodh ndryshe kur ende pas 74 ditësh protesta nuk po nxjerr kokë lidershipi i ri që t’i japë fytyrën e vërtetë Shqipërisë së re. Me sa duket kodi opozitar ruan të fshehtat e Masonerisë.
Simbolet e përdorura janë simbole Masonerie prapa të cilave fshihen planet ogurzeza të marrjes së pushtetit përmes protestës së qytetarëve të lirë. Deputetët e vendosur prapa skenës së protestës shtatori pas fundjavave të gushtit do t’i gjejë në ballë të ”Llozhës para kryeministrisë”.
Kjo s’do shumë mend për t’u kuptuar për sa kohë dora e shtrirë e protestuesve drejt të gjitha forcave politike në një kohë kur godet të gjithë klasën e vjetër, është thjesht një ”Big Brother”. Në një kohë kur mbi 40 përqind e elektoratit gri nuk shkon për të votuar sepse nuk pranon lidershipin e vjetër, është kontingjenti më i besueshëm të cilit mund t’i drejtohesh e ta bësh për vete për të sjellë ndryshimin e Shqipërisë së re.
Shqipëria e re nuk mund të veshë kostum të ri me arna të vjetra. Kjo më kujton fragmente nga romani ”Jetë në aventurë”, përmes të cilit kam sjellë ngjarje nga ’97. Pëllumb Famëmadhi, personazhi i romanit, kryetar i ”Komitetit të Shpëtimit” që kishte vënë jetën në rrezik për të shpëtuar qytetin nga bandat e hajdutëve, kur personazhi tjetër karrocieri që pastronte qytetin nga tullat që linin plumbat i rreh shpatullat duke i thënë: kryetar i bashkisë… Ai ia kthen: Nuk lë larua të hajë balua.
Prapa shpinës sime sa kandidatë për kryetar mbajnë veshët ngritur. Presin sa të ulim ne armët e hajdutërisë, pastaj ata të rrëmbejnë shpatat për të luftuar me mullinjtë e erës. Është mbushur bota me Don Kishotë, pa po merr flakë… Çfarë masonësh i rrinë ngritur Llozhës së kryeministrisë!? Presin shtatorin për të nxjerrë kokën në protestë. Se ja, protesta po bëhen edhe nëpër bashkitë të cilat projekti i mazhorancës kërkon t’i bashkojë me të mëdhatë si: Prrenjasi, Dimali, Divjaka, 15 bashki, por protesta e tyre kërkesat institucionale ia drejton institucioneve për t’i zgjidhur.
Ndërsa protesta e qytetarëve të lirë, e vetmja e këtij lloji në 35 vite që ngjalli aq shpresë e besim në fillimet e saj sepse zbuloi rrënjët e thella të korrupsionit duke goditur gjithë klasën e vjetër politike, nuk ka kaluar as pragun e ”Poemës së mjerimit” të Migjenit sepse ai e ndiente nga dielli alegorik botën e re që po lindte, ndërsa ”Bulevardi Dëshmorët e Kombit” përmes foltores para kryeministrisë nuk shpalos alternativat që do të sjellin ndryshimin.
Gjendjen e rënduar të korrupsionit e krimit e ndien i gjithë populli mbi shpinë, por rrugët e zgjidhjeve për ta larguar këtë barrë, përmes ndryshimeve të mundshme në sistem mungojnë. Institucionalizimi i protestës do t’i hapë rrugë Shqipërisë së re, në të kundërt shtatori në llozhën e kryeministrisë ka për të ngjitur ”Masonët”, duke lënë vetëm imazhin e madhështisë së protestës, por që nuk mundi të realizojë ëndrrën e qytetarëve të lirë nga se ata mbetën peng i masonerisë. Në vitet ’30 SHBA-ja kaloi në Depresionin e Madh.
Të gjithë kujtuan se i erdhi fundi kapitalizmit në një kohë kur socializmi në lindje po merrte zhvillim. Doli Franklin Roosevelti, presidenti vizionar i cili për të zhdukur ndasitë e mëdha klasore të gjitha reformat i drejtoi drejt zhvillimeve në interes të të varfërve. Pavarësisht revoltimit të të pasurve se po u ikte pushteti nga duart, Ai shpëtoi Amerikën edhe vetë sistemin nga dështimi, por me reforma revolucionare në shërbim të kombit. Shqipëria qëndron në këtë udhëkryq; të varfërisë ekstreme dhe të pasurve pa kufi.
U duhet të nxirrni nga protesta njeriun vizionar që t’i paraprijë lëvizjes për ndryshim përmes reformimit të sistemit e jo kthim tek lidershipi i vjetër që nuk ka ditur të bëjë tjetër veçse të mbajë peng sheshet dhe sërish në shtator pas dy muajsh fundjavash do t’i kthehet luftës me mullinjtë e erës, me të njëjtin slogan ”Rama ik”. Ç’fatkeqësi!? Do të jetë fatkeqësia më e madhe e kombit tani që i lindën shpresat e ndryshimit përmes protestës së qytetarëve të lirë të lihet në dorë të Masonëve të Llozhës së kryeministrisë.
Shkrimet dhe opinionet e publikuara në këtë rubrikë shprehin qëndrimet e autorëve dhe nuk përfaqësojnë qëndrimin editorial të redaksisë.



