Janë caktuar tre gjyqtarët në Panelin e Apelit në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale.
Gjyqtarët Michele Picard, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen janë caktuar si trupi gjykues i Apelit për çështjen që lidhet me aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Kështu kanë bërë të ditur nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në përgjigjen e tyre thuhet se, trupi gjykues i lartpërmendur është caktuar me 22 shtator nga kryetarja e gjykatës Speciale, Ekatarina Trendafilova.
‘’Më 22 shtator, Presidentja e Dhomave të Specializuara, gjyqtarja Ekaterina Trendafilova, caktoi një Trup Gjykues të Apelit për të vendosur lidhur me kërkesën e ekipeve të mbrojtjes për zgjatjen e afatit për paraqitjen e njoftimit për apel, si dhe për të gjitha parashtresat e cilësdo palë që lidhen me një njoftim për apel kundër Aktgjykimit të Gjykimit në këtë çështje. Trupi Gjykues përbëhet nga gjyqtarët Michèle Picard, Kai Ambos dhe Nina Jørgensen. Në vendimin e saj, Presidentja mori në konsideratë kriteret e përcaktuara në Rregullën 4 të Rregullores për Caktimin e Gjyqtarëve, përfshirë përvojën dhe ekspertizën përkatëse, si dhe disponueshmërinë e gjyqtarëve në këtë kohë’’, thuhet në përgjigje.
Biografia e gjyqtarëve sipas Dhomave të Specializuara:
Michele Picard:
Gjykatësja Michele Picard është gjykatëse e Gjykatës së Apelit në Paris që prej qershorit 2013. Nga 2008 deri më 2013, ajo ishte gjykatëse në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Nga 2007 deri më 2008, u emërua anëtare e Panelit Këshillues për Të drejtat e Njeriut në Kosovë dhe gjatë periudhës 1996-2003 ajo kryesoi Dhomën për Të drejtat e Njeriut në Bosnjë-Hercegovinë. Më 2005, ajo u emërua eksperte e pavarur për Gjendjen e Të drejtave të Njeriut në Uzbekistan. Ajo gjithashtu punoi për Këshillin e Evropës si eksperte për projekte të përafrimit të legjislacionit vendor me atë evropian për të drejtat e njeriut në Maqedoni, Shqipëri dhe Bosnjë-Hercegovinë. Gjykatësja Picard është e diplomuar si juriste nga Universiteti i Parisit. Më 1992, ajo kreu shkollën për gjykatës në Bordo (Bordeaux).
Kai Ambos:
Gjykatësi Kai Ambos ka qenë kreu i katedrës për të drejtën penale ndërkombëtare dhe profesor i të drejtës penale, procedurës penale, të drejtës krahasuese dhe të drejtës penale ndërkombëtare në Universitetin e Gëtingenit (Göttingen) në Gjermani që nga maji 2003. Më 2013, ai u emërua drejtor i Qendrës Studimore për Të drejtën dhe Procedurën Penale të Amerikës Latine (CEDPAL) në Universitetin e Gëtingenit. Gjithashtu ai ka punuar si avokat i mbrojtjes dhe konsulent në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Që nga marsi 2006, gjykatësi Ambos ka punuar si gjykatës i përkohshëm në Gjykatën Provinciale të Saksonisë së Poshtme në Gëtingen prej së cilës u delegua në Gjykatën e Apelit të Braunshvajgut (Braunschëeig) për vitin 2015. Gjykatësi Ambos ka kryer studimet për jurisprudencë dhe shkenca politike në universitetin e Frajburgut në Brajzgau (Freiburg im Breisgau) në Gjermani, dhe në atë të Oksfordit (Britani e Madhe), e Mynihut (Gjermani). Më 1990 kaloi provimin e parë shtetëror dhe më 1994 provimin e dytë shtetëror që i mundësoi ushtrimin e profesionit të avokatit. Më 1992, gjykatësi Ambos u doktorua dhe më 2001 fitoi aftësimin profesional si ligjërues universitar (të dyja nga Universiteti i Mynihut). Ai ka botuar gjerësisht në fushën e të drejtës dhe procedurës penale, të drejtës krahasuese dhe të drejtës penale ndërkombëtare.
(Unaza Online)



