Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Toronto po hyn në edicionin e tij të 51-të me një program të gjerë që synon të afrojë një gjeneratë të re shikuesish me kinemanë ndërkombëtare dhe filmat e pavarur.
Edicioni i këtij viti përfshin rreth 300 filma nga vende të ndryshme të botës. Organizatorët kanë vendosur një theks të veçantë te produksionet e pavarura dhe te historitë që nuk janë pjesë e zakonshme e kinemasë komerciale të Hollywood-it.
Ndryshimi i preferencave të publikut është një nga arsyet kryesore pas kësaj strategjie. Audienca më e re po tregon interes për histori ndërkombëtare, dokumentarë dhe filma që trajtojnë çështje sociale e politike, duke e bërë festivalin një hapësirë ku produksionet e më vogla mund të gjejnë një audiencë më të gjerë.
Në program janë përfshirë dokumentarë dhe filma artistikë që trajtojnë tema të ndryshme, nga krizat e migracionit dhe realiteti social në Iran, deri te figura të rëndësishme të kulturës dhe historisë bashkëkohore.
Një nga projektet që ka tërhequr vëmendje është dokumentari i Alex Gibney për Elon Musk, i cili po prezantohet për publikun e Amerikës së Veriut pas premierës në Venecia. Në festival janë përfshirë gjithashtu projekte të reja nga regjisorë të njohur dhe produksione që pritet të kenë rol në sezonin e ardhshëm të çmimeve kinematografike.
Festivali ka edhe një dimension të rëndësishëm kulturor. Në një periudhë kur kinemaja po përballet me ndryshime të mëdha në mënyrën se si publiku konsumon filma, evente të tilla po përpiqen të rikthejnë eksperiencën e sallës së kinemasë dhe të krijojnë hapësirë për histori që nuk varen vetëm nga produksionet me buxhete të mëdha.
TIFF do të zhvillohet deri më 20 shtator dhe pritet të jetë një nga eventet kryesore të kalendarit ndërkombëtar të kinematografisë gjatë këtij muaji.
(Unaza Online)



