Kanë kaluar më shumë se tri dekada nga transmetimi i telenovelës së famshme “Kassandra”, por historia e saj vazhdon të mbetet e paharruar për miliona shikues në mbarë botën, transmeton gazeta “Unaza Online”.
Në vitin 2026, protagonistët Coraima Torres dhe Osvaldo Ríos, të cilët luajtën përkatësisht Kassandra-n dhe Luis David/ Ignacio Contreras, u ribashkuan në një aktivitet në Dubai, 34 vjet pas realizimit të telenovelës.

Ribashkimi i tyre tërhoqi vëmendjen e fansave, ndërsa Osvaldo Ríos publikoi fotografi nga takimi dhe la të hapur mundësinë që dy aktorët të shfaqen sërish së bashku në një projekt artistik. Aktori madje pyeti fansat nëse do të dëshironin t’i shihnin përsëri bashkë në një histori të re.
“Kassandra” u transmetua fillimisht në vitet 1992–1993 dhe pati 150 episode. Telenovela u shkrua nga Delia Fiallo dhe u bë një sukses ndërkombëtar, duke e kthyer Coraima Torres në një nga aktoret më të njohura të telenovelave të asaj periudhe.
Ribashkimi i dy protagonistëve ka rikthyer nostalgjinë për një prej historive më të dashura të televizionit latino-amerikan dhe ka bërë që fansat të pyesin nëse një ditë do t’i shohin përsëri bashkë në ekran.
(Unaza Online)



