Sipas Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, pamjet janë regjistruar në afërsi të mbikalimit të Rinasit. Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, me qëllim dokumentimin e plotë të rrethanave dhe identifikimin e personave të përfshirë.
Në kuadër të hetimeve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë ndaluar shtetasin J. M., 30 vjeç, i identifikuar si Jozefin Marku, i njohur edhe si “Jozi”. Sipas Policisë, ndaj tij rëndojnë dyshimet për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”.
Në pranga është vënë edhe shtetasi K. N., 31 vjeç, i cili dyshohet se ka qenë drejtues i automjetit tip “Land Rover”. Ai dyshohet për një sërë veprash penale, mes tyre përkrahja e autorit të krimit, mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, bombave ose minave dhe i municionit, heqja e paligjshme e lirisë, plagosja e lehtë me dashje, kanosja, mbajtja pa të drejtë e uniformës dhe ndërhyrja në jetën private.
Ndërkohë, Policia ka shpallur në kërkim shtetasit A. H., 48 vjeç, dhe K. V., 27 vjeç, ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se kanë marrë pjesë në ngjarje.
Nga kontrolli i banesës së K. N. u gjet dhe u sekuestrua një sasi municioni, ndërsa është sekuestruar edhe automjeti tip “Land Rover”, i dyshuar se është përdorur gjatë ngjarjes.
Sipas versionit të bërë publik nga Policia, personat e ndaluar dyshohet se, në bashkëpunim edhe me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë dhunuar shtetasin E. K., 26 vjeç, pasi pretendohet se ky i fundit kishte fyer një prej tyre.
Hetimet vijojnë për kapjen e personave të shpallur në kërkim, identifikimin e të gjithë të përfshirëve dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Theksohet se akuzat dhe dyshimet e mësipërme janë ato të bëra publike nga Policia dhe nuk përbëjnë përcaktim përfundimtar të fajësisë.



