Kryeministri Edi Rama ka përsëritur këtë të premte thirrjen për dialog, duke vendosur sërish ftesat për bisedime në ulëset prej betoni përpara Kryeministrisë. Kreu i qeverisë u shpreh i gatshëm të zhvillojë bisedime me këdo që beson se përmes dialogut dhe shkëmbimit të ideve mund të kontribuohet në përmirësimin e Shqipërisë.
Rama theksoi se, pavarësisht dallimeve në qëndrime, përballja e pikëpamjeve duhet të bëhet përmes dialogut dhe jo përmes dhunës. Ai u shpreh se kundërshtia e dhunshme nuk mund të zëvendësojë bashkëjetesën demokratike dhe bëri thirrje për uljen në tryezën e bisedimeve.
“Jam i gatshëm kudoqoftë, në çdo vend, në çdo orë, me ata që besojnë se Shqipëria duhet bërë më e mirë dhe se Shqipëria bëhet më e mirë me njerëzillëk, me shkëmbim dhe ballafaqim pikëpamjesh, sado të kundërta”, deklaroi Rama.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri u ndal edhe te protestat dhe veprimet që, sipas tij, kanë shoqëruar zhvillimet e fundit në kryeqytet. Ai paralajmëroi se personat që kanë shkelur ligjin do të përballen me përgjegjësi ligjore dhe penale, në varësi të veprimeve të kryera.
Rama kritikoi gjithashtu përdorimin e dhunës dhe të forcës si mjete për të imponuar qëndrime ndaj qytetarëve, duke i cilësuar këto veprime si të papranueshme në një shoqëri demokratike.
Në përfundim, kreu i qeverisë u shpreh se rruga europiane e Shqipërisë do të vijojë, pavarësisht përplasjeve dhe kundërshtive politike. Sipas tij, asnjë forcë që përdor dhunën nuk mund ta ndryshojë orientimin e vendit drejt Bashkimit Europian.
(Unaza Online)



