Protestat në ditën e shtatë, Tirana në tension: Sulmohet Gjykata e Apelit, 69 të arrestuar

spot_imgspot_img

Protesta e të rinjve në Tiranë ka hyrë në ditën e shtatë, me kërkesën kryesore për dorëheqjen e qeverisë dhe të kryeministrit Edi Rama. Ndërkohë, protestave u janë bashkuar edhe qytete të tjera të vendit, si Lezha, Vlora, Elbasani dhe Shkodra, ku një pjesë e gjimnazistëve dhe studentëve kanë bojkotuar mësimin dhe kanë marshuar në rrugët e qyteteve.

Situata në kryeqytet është tensionuar gjatë protestës, ku protestuesit kanë dëmtuar godinën e Gjykatës së Apelit, ndërsa policia ka kryer disa shoqërime dhe arrestime. Sipas Policisë së Tiranës, në vijim të veprimeve hetimore për protestën e së dielës, 69 persona janë arrestuar dhe 20 të tjerë janë proceduar penalisht, nën dyshimet për goditjen me gurë dhe sende të forta të punonjësve të policisë dhe dëmtimin e godinave të institucioneve publike e private.

Pesë persona janë arrestuar për dëmtimin e Gjykatës së Apelit, ndërsa 15 të tjerë janë shpallur në kërkim. Mes të arrestuarve është edhe një 16-vjeçar, të cilit, sipas policisë, gjatë kontrollit iu gjetën lëndë piroteknike. Autoritetet bëjnë me dije se vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në incident.

Gjatë pasdites janë regjistruar gjithashtu momente tensioni në zonën e Parkut Rinia në Tiranë, ku policia ka ndërhyrë për shoqërimin e disa protestuesve. Në mes të përplasjes, një i ri ka arritur të largohet me vrap nga efektivët, ndërsa mes personave që ndërhynë në situatë ishte edhe deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi.

Incidente janë raportuar edhe në Peshkopi, ku disa të rinj kanë kundërshtuar shoqërimin nga policia. Ndërkohë, në Tiranë është ndaluar edhe një 15-vjeçar, i dyshuar si një nga autorët e thyerjes së një bankomati në rrugën “Luigj Gurakuqi”, më 15 tetor 2026.

Për zhvillimet në kryeqytet kanë reaguar edhe kryetari i Delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Shqipërinë, Marco Tarquinio, dhe raportuesi i përhershëm për Shqipërinë, Andreas Schieder. Ata kanë dënuar dhunën, sulmet ndaj institucioneve dhe shkatërrimin e pronës, ndërsa kanë kërkuar hetim për raportimet mbi përdorimin e tepruar të forcës nga policia.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një konferencë për mediat së bashku me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, ku ka dënuar aktet e dhunës ndaj forcave të rendit. Rama njoftoi se, nga 1 janari, parashikohet një rritje e konsiderueshme e pagave të punonjësve të policisë, si dhe një mbështetje financiare prej 2 500 eurosh për çdo efektiv të angazhuar në front.

Kreu i qeverisë theksoi se mbetet i hapur për dialog me të rinjtë, por jo me ata që përfshihen në akte dhune.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Ervin Demo, deklaroi se situata ka kaluar vijën e kuqe, duke pretenduar se personat e përfshirë në aktet e dhunës nuk janë studentë dhe se, për këtë arsye, zhvillimet nuk mund të konsiderohen më si protestë studentore.

Në kuadër të përplasjeve, pranë godinës së Kryeministrisë janë ngritur edhe disa çadra për dhënien e ndihmës së parë për punonjësit e policisë të lënduar. Sipas raportimeve, dhjetëra efektivë kanë mbetur të lënduar gjatë përplasjeve me protestuesit.

Protesta vijon në ditën e shtatë, ndërsa kërkesa për dorëheqjen e qeverisë mbetet në qendër të tubimeve. Zhvillimet e fundit shoqërohen me tensione, arrestime dhe reagime politike e ndërkombëtare.

(Unaza Online)

POSTIMET E FUNDIT

spot_img
spot_img
spot_img

TË NGJASHME

spot_imgspot_img