Policia e Kosovës ditën e sotme ka zhvilluar bastisje në dy lokacione në veri të vendit, pas informacioneve për armë dhe mjete të tjera ilegale.
Kontrollet janë kryer në fshatin Dren të Leposaviqit dhe fshatin Shipovë të Zubin Potokut, ku janë gjetur dhe sekuestruar armë, municion, uniforma ushtarake dhe pajisje të tjera.
Në Dren, në një objekt të përdorur si stallë, Policia ka sekuestruar një armë M-56, dy pistoleta, si dhe 139 fishekë të kalibrave të ndryshëm. Për këtë rast është arrestuar një person me inicialet S.V., i lindur në vitin 1971, ndaj të cilit, me urdhër të prokurorit, është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Ndërkaq, në Shipovë, gjatë bastisjes së një shtëpie të pabanuar, janë gjetur një pushkë automatike AK-47 me gjashtë karikatorë dhe 157 fishekë, një pushkë gjuetie M-48 me 186 fishekë, një bajonetë, uniforma ushtarake me emblemë serbe, dy çanta ushtarake dhe një pajisje ushtarake për ushqim.
Sipas Policisë, për rastin në Shipovë deri më tani nuk ka persona të arrestuar.
Për të dyja rastet është iniciuar hetim për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe i ka bërë thirrje që rastet e dyshimta t’i raportojnë në numrin 192.
(Unaza Online)



