Njihuni me tre liderët që po riformësojnë Lindjen e Mesme

spot_imgspot_img

Tre flamuj, një tryezë, dhe, po t’i shohësh me pak imagjinatë, një histori që do ta kishte bërë Aleksandër Dymanë të merrte penën.

Një pakt i ri trepalësh i mbrojtjes mes Arabisë Saudite, Turqisë dhe Pakistanit është nënshkruar, duke premtuar një version modern të parimit “të gjithë për një, një për të gjithë”, këtë herë të shprehur përmes gjuhës së parandalimit kolektiv.

Është një version i kohëve moderne i “Tre muskëtierëve” të krijuar nga Dymà për romanin e tij me të njëjtin emër, të cilët binin dakord të luftonin së bashku sa herë që njëri prej tyre përballej me një sulm me shpatë.

Marrëveshja pasqyron gjithashtu klauzolën e njohur që qëndron në themel të Nenit 5 të NATO-s, sipas të cilit një sulm ndaj një anëtari konsiderohet sulm ndaj të gjithëve dhe shkakton një përgjigje të përbashkët.

Këto vende sunite po marrin në duart e tyre çështjet e sigurisë, në përpjekje për të riformësuar arkitekturën e sigurisë në një kohë tensionesh dhe paqëndrueshmërie në rritje, veçanërisht ndërsa lufta amerikano-izraelite kundër Iranit nuk duket se ka fund, dhe duke u përgatitur për një rend rajonal pas largimit të rolit amerikan.

Marrëveshja mbështetet në pikat e forta të secilit vend: pasuria e Arabisë Saudite nga nafta, teknologjia dhe pajisjet ushtarake të Turqisë dhe kapaciteti bërthamor i Pakistanit.

Por mbeten pyetje nëse kjo marrëveshje do të arrijë të parandalojë konfliktet apo do të rrisë tensionet, edhe pse të tre anëtarët kanë këmbëngulur se pakti nuk drejtohet kundër ndonjë shteti të caktuar.

“Mbrojtja kundrejt konfrontimit”

Marrëveshja është “në thelb mbrojtëse”, tha Ishak Dar, zëvendëskryeministri i Pakistanit. “Ajo nuk drejtohet kundër asnjë vendi… [dhe] nuk është instrument për konfrontim, por shprehje e angazhimit tonë kolektiv për paqen përmes forcës, solidaritetit dhe respektit të ndërsjellë.”

“Ne nuk kemi asgjë të shkruar, asgjë që kemi nënshkruar, që përcakton një kërcënim të përbashkët”, tha Hakan Fidan, ministri i Jashtëm i Turqisë. “Çdo vend që nuk na sulmon, nuk është objektiv për ne.”

Marrëveshja gjithashtu “nuk përfaqëson asnjë synim për të ndërtuar një bosht ushtarak apo një bllok sektar”, tha Rajed Krimli, zëvendësministri saudit për diplomacinë publike.

Këto deklarata synojnë të qetësojnë situatën, diçka e dobishme duke pasur parasysh se të tri vendet e rrethojnë gjeografikisht Iranin, të cilin vëzhguesit e konsiderojnë si Kardinali Risheljë, personazhi negativ i romanit të Dymasë të vitit 1844.

Imazhi i krijuar nga kjo aleancë ka qenë simbolik dhe qartësisht synon t’i dërgojë Iranit një paralajmërim.

Tre liderët shkuan në Mekë, vendin më të shenjtë të Islamit, për të finalizuar marrëveshjen e re.

“Arsyeja pse e bënë në Mekë është për t’u dërguar një mesazh aktorëve shtetërorë dhe joshtetërorë myslimanë: ‘Kjo është e shenjtë'”, tha Jasmin Faruk, nga grupi për Gjirin dhe Gadishullin Arabik në International Crisis Group, një organizatë kërkimore jofitimprurëse.

Ndërsa boja e nënshkrimeve ende nuk ishte tharë, tre liderët dhe zyrtarët e tyre të lartë u falën së bashku të premten në Pallatin Al-Safa, një përmbyllje fetare simbolike për një traktat mbrojtjeje që Riadi donte qartësisht të fotografohej.

Më shumë se një javë pas nënshkrimit fillestar, dhe ndërsa zbatimi sapo ka nisur, marrëveshja vazhdon të përshkruhet si thjesht simbolike.

Por pikërisht kështu duan ta mbajnë anëtarët e saj, nëse ky pakt mbrojtjeje do të ketë sukses në planin afatgjatë.

Zyrtarët dhe ekspertët theksojnë se marrëveshja nuk ka të bëjë me përshkallëzimin e konfliktit, pasi përdorimi i forcës ushtarake mbetet një mjet i fundit kur bëhet fjalë për parandalimin strategjik në raport me Iranin.

Kjo është e qartë edhe nga përfshirja e Turqisë dhe Pakistanit, të cilat nuk e mbështesin agresionin kundër Iranit dhe kanë refuzuar aktivisht të bashkohen me luftën, duke punuar në vend të kësaj për ndërmjetësimin e saj, edhe pse Turqia u vu në shënjestër më herët gjatë konfliktit.

Megjithatë, vendet e Gjirit po kërkojnë mënyra shtesë për t’iu kundërvënë Iranit, i cili ka ndërmarrë qindra sulme kundër më shumë se një duzinë fqinjësh që nga shpërthimi i luftës në fund të shkurtit.

Sulme janë kryer gjithashtu nga grupet aleate të Iranit, përfshirë Huthin në Jemen dhe milicitë e lidhura me Iranin në Irak, të cilat kanë kërcënuar dhe sulmuar vazhdimisht Arabinë Saudite. Objektivi i fundit ishte një rafineri nafte saudite.

Marrëveshja tripalëshe ka të bëjë mbi të gjitha “për t’i dërguar një mesazh Iranit: ‘Nëse vazhdoni, edhe ne kemi mundësi'”, tha Faruku.

Askush nuk do të nxjerrë automatikisht shpatën. Një shtet anëtar duhet të kërkojë zyrtarisht mbështetje, e cila mund të marrë formën e shkëmbimit të informacionit të zbulimit, mbështetjes logjistike ose dislokimit të trupave, në varësi të kërcënimit.

Do të zhvillohen mbledhje të komiteteve me ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes të vendeve anëtare, së bashku me krerët ushtarakë, një skenë që të kujton muskëtierët e mbledhur rreth një tryeze në han.

Gjithashtu do të krijohet një sekretariat i përhershëm me bazë në Riad, i cili do të koordinojë dhe lehtësojë kërkesat dhe takimet.

Sigurimi i një bashkëpunimi dhe koordinimi më të madh rajonal po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm, ndërsa besimi te SHBA-ja po zbehet.

Në këtë kuadër, ekzistenca e marrëveshjes “pasqyron zhgënjimin në rritje të rajonit me garancitë amerikane të sigurisë”, tha Fathollah Nezhad, drejtor i Qendrës për Lindjen e Mesme dhe Rendin Global, një institut kërkimor me bazë në Berlin.

“Të gjithë po kalojnë një proces reflektimi mbi mënyrën se si do të formësohet rezultati i kësaj lufte, duke pasur parasysh se SHBA-ja mund të ndryshojë potencialisht pozicionimin e saj”, tha Faruku. “Në thelb bëhet fjalë për mënyrën se si mund të shfrytëzohet ajo që ka mbetur nga ndikimi amerikan, sepse SHBA-ja mbetet alternativa më e mirë e Gjirit kur bëhet fjalë për parandalimin dhe mbrojtjen.”

Problemi është se vendet e Gjirit nuk kanë ndikim të mjaftueshëm mbi atë që SHBA-ja vendos të bëjë në rajon.

“SHBA-ja në fund do të bëjë atë që dëshiron vetë”, tha Faruku. “Kjo luftë e tanishme e ka treguar këtë. Ajo i ka lënë ata në një pozitë edhe më të keqe sa i përket parandalimit ushtarak amerikan ndaj Iranit.”

Hyrja e fuqive të huaja në rajon, tha Fidan, nuk i ka zgjidhur problemet, por i ka bërë ato “më të mprehta”, dhe me një kosto të lartë.

Anëtarë të tjerë

Mbetet për t’u parë nëse do të shfaqet një muskëtier i katërt, ndonëse, siç thotë edhe shprehja, forca qëndron te numri.

Edhe shtete të tjera janë të mirëpritura t’i bashkohen paktit, ndërsa Egjipti është kandidati më i dukshëm. Që nga marsi, ai ka marrë pjesë në disa raunde bisedimesh me Arabinë Saudite, Turqinë dhe Pakistanin, katër vendet tashmë të quajtura “katërshja rajonale”.

Edhe pse Egjipti u ftua t’i bashkohej paktit, për momentin ka zgjedhur të qëndrojë mënjanë. Kjo mund të ketë ardhur për shkak se ka një kufi me Izraelin, ndryshe nga tri vendet e tjera,gjë që do ta kishte komplikuar situatën.

Përtej bashkërendimit politik, janë planifikuar stërvitje të përbashkëta dhe po negociohen marrëveshje për shitje armësh, ndërsa vendet përpiqen të rrisin kapacitetet e tyre pas vitesh kur janë mbështetur kryesisht te SHBA-ja për sigurinë.

Marrëveshje të tjera për armë mund të vijnë së shpejti mes këtyre tri vendeve, duke pasur parasysh rritjen e Turqisë si eksportuese globale e pajisjeve të mbrojtjes.

Pakti është gjithashtu një përpjekje për t’iu kundërvënë Izraelit, i cili që nga fillimi i luftës në Gaza, në tetor 2023, është shfaqur si një fuqi e paparashikueshme në rajon.

Mosmarrëveshjet e fundit mes Donald Trump-it dhe Benjamin Netanjahut kanë shtuar edhe më shumë shqetësimet për pasiguri të reja në horizont.

Para shpërthimit të luftës në Gaza, SHBA-ja favorizonte normalizimin e marrëdhënieve mes Izraelit dhe vendeve arabe si një rrugë drejt paqes afatgjatë. Kjo kulmoi me Marrëveshjet e Abrahamit në vitin 2020, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja.

“Logjika fillestare e marrëveshjeve ishte se normalizimi me Izraelin ishte rruga që shtetet arabe të fitonin mbështetjen e Amerikës, ndërsa Izraeli ishte faktori që hapte derën e Uashingtonit”, tha David Lega, politikan suedez dhe ish-anëtar i Parlamentit Europian.

Por tani, “nxitja specifike që Izraeli mund të ofronte dikur është dobësuar”, tha Lega, një mbështetës i vendosur i Marrëveshjeve të Abrahamit. Për këtë arsye, ky pakt mbrojtjeje “ofron një rrugë tjetër drejt të njëjtit qëllim; një rrugë që nuk kalon përmes Izraelit”.

Referencat për një “NATO arabe” janë ndoshta të parakohshme dhe, sigurisht, jo në kuptimin e “rrethimit të Izraelit”, edhe pse tensionet me Turqinë po rriten, tha Jozef Rozen, strateg gjeopolitik në Institutin Misgav, një institut izraelit për sigurinë kombëtare.

Kjo kryesisht sepse të tre anëtarët mbeten aleatë të rëndësishëm të SHBA-së dhe nuk do ta rrezikonin këtë marrëdhënie duke kërcënuar Izraelin, theksoi ai.

Për momentin, zyrtarët që flasin për marrëveshjen janë më pak të prirur të thonë “në gatishmëri për luftë” dhe më shumë të përdorin ekuivalentin diplomatik të futjes së shpatës në mill.

“Është një rreshtim reaktiv, dhe jo një rreshtim proaktiv, për të menaxhuar pasojat dhe reagimet e veprimeve të Izraelit dhe Iranit gjatë dy-tri viteve të fundit”, tha Faruku. /Telegraph

POSTIMET E FUNDIT

spot_img
spot_img
spot_img

TË NGJASHME

spot_imgspot_img