Një rast serioz i kanosjes ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka aktivizuar Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe Prokurorinë Speciale, duke rezultuar me arrestimin e një personi në Prishtinë.
Sipas raportimeve të mediave, i arrestuari është Gazmend Halimi, 57-vjeçar, i cili dyshohet se përmes rrjetit social Facebook ka publikuar mesazhe me përmbajtje kërcënuese ndaj kryeministrit Kurti.
Sipas mediave, rasti është evidentuar më 2 shtator, rreth orës 15:45, pasi Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda ka pranuar informacione lidhur me disa postime të të dyshuarit.
Sipas këtyre raportimeve, Halimi dyshohet se kishte shpërndarë dy video në të cilat paraqitej kryeministri Kurti, të shoqëruara me mesazhe të rënda kërcënuese.
Në njërën prej tyre, dyshohet se kishte shkruar: “Kti duhet me ja dhan plumin ne ball”, ndërsa në tjetrën: “Ket tradhtar asht dasht me vra ne kuvend”.
Rasti ka marrë një dimension tjetër kur hetuesit e Krimeve të Rënda kanë kontaktuar të dyshuarin përmes telefonit.
Gjatë këtij komunikimi, Halimi dyshohet se ka kanosur edhe hetuesit policorë që po merreshin me rastin.
Pas këtij zhvillimi, në koordinim me Prokurorinë Speciale, hetuesit e Krimeve të Rënda, të asistuar edhe nga Njësia Speciale, kanë arritur ta lokalizojnë dhe arrestojnë të dyshuarin.
Halimi është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa me vendim të prokurorit kujdestar të Prokurorisë Speciale është dërguar në ndalim për 48 orë.
Rasti është duke u trajtuar nën dyshimet për “Kanosje dhe dhunë ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës”, ndërsa hetimet po vazhdojnë.
(Unaza Online)



