Kurti: Nuk mundemi që pafundësisht të përsërisim zgjedhjet me rezultat të njëjtë

spot_imgspot_img

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se marrëveshja e arritur me LDK-në për kandidatin e përbashkët për president, profesor Bekim Sejdiu, mbetet në fuqi.

Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të VV-së, Kurti tha se deputetët e këtij subjekti e kanë mbështetur plotësisht kandidaturën e Sejdiut.

Ai ka kritikuar gjashtë deputetët e LDK-së që kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Sejdiun duke e cilësuar këtë qëndrim si “të papërgjegjshëm, të dëmshëm dhe absurd”.

Sipas Kurtit, pas kësaj situate ai do të takohet sërish me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ndërsa do të rikthehet edhe në Kryesinë e Vetëvendosjes për të diskutuar hapat e mëtejmë.

“Kjo është një situatë e re, e cila kërkon që në njërën anë unë të takohem përsëri me kryetarin e LDK-së dhe në anën tjetër që të rikthehem në Kryesinë e Lëvizjes Vetëvendosje për ta diskutuar rrethanën e re dhe rrugën që duhet të ndjekim përpara”, tha Kurti.

Kurti ka kundërshtuar mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të reja duke argumentuar se qytetarët kanë votuar në tri palë zgjedhje brenda një periudhe të shkurtër.

“Nuk do të duhej që pa arsye, pa nevojë, përsëri të shkojmë në zgjedhje të parakohshme”, u shpreh ai.

Ai përmendi zgjedhjet e 9 shkurtit, 28 dhjetorit 2025 dhe 7 qershorit 2026 duke thënë se nuk është e arsyeshme që vendi të shkojë përsëri në zgjedhje me shpresën se rezultati do të ndryshojë.

Kurti vlerësoi punën e ekipeve negociatore të VV-së dhe LDK-së duke thënë se marrëveshja është arritur me “konstruktivitet, mirëbesim, kreativitet dhe përkushtim”.

Duke folur për mbështetjen në Kuvend, ai tha se Bekim Sejdiu kishte marrë 74 vota, krahasuar me 64 votat që, sipas tij, kishte marrë më herët kandidatja Feride Rushiti.

Në fund, Kurti theksoi se marrëveshja politike me LDK-në mbetet e vlefshme.

“Për mua si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, si kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, si udhëheqës i delegacionit të ekipit negociator me LDK-në, marrëveshja politike që kemi bërë është e vlefshme. Pra, ajo marrëveshje qëndron.”

Sipas tij, gjashtë deputetët e LDK-së nuk janë domosdoshmërisht kundër kandidaturës së Sejdiut, por kundër qeverisë që ai udhëheq.

“Duket qartë se nuk e kanë aq kundër profesor Bekim Sejdiut, sa kundër qeverisë që unë udhëheq”, tha Kurti.

Ai përfundoi duke thënë se përsëritja e zgjedhjeve nuk do ta ndryshonte domosdoshmërisht rezultatin politik.

“Nuk mundemi që pafundësisht të përsërisim zgjedhjet me rezultat të njëjtë me shpresë se ndoshta kësaj radhe rezultati do të jetë një çikë më ndryshe. Nuk do të jetë.”

(Unaza Online)

POSTIMET E FUNDIT

spot_img
spot_img
spot_img

TË NGJASHME

spot_imgspot_img