Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në Republikën e Kosovës ka pasur procese të çarmatimit dhe grumbullimit të armëve ilegale, por jo në veriun e Kosovës.
“Policia e Kosovës, siç e dini, ka prezantuar arsenalin e madh të armëve dhe të municionit që i ka konfiskuar në veri të Kosovës, ju e dini se në Republikën tonë kemi pasur çarmatosje, grumbullim të armëve ilegale anembanë Kosovës, por jo në veriun e Kosovës. Në këto tri vitet e fundit kemi aksione të shumta policore, të cilat praktikisht po marrin armë në duart e atyre që janë ose kriminelë, ose në rastin më të mirë janë potencialisht kriminelë”, tha Kurti.
Ai ka theksuar se aksionet e institucioneve të sigurisë kanë rezultuar jo vetëm me konfiskimin e armëve nga persona që kanë kryer krime, por edhe me parandalimin e krimeve të mundshme.
“Armatimi ilegal me tyta të gjata nuk është për hajr, por veç për sherr, pra jo vetëm që kemi konfiskuar armatim të atyre që kanë bërë krime, por në të njëjtën kohë kemi konfiskuar edhe armatim duke parandaluar krime në vijim. Prandaj është punë e jashtëzakonshme e Policisë dhe AKI-së”, shtoi Kurti.
(Unaza Online)



