Hoti: LDK-ja është e gatshme të kontribuojë në tejkalimin e ngërçit

spot_imgspot_img

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se LDK-ja është e gatshme të kontribuojë në tejkalimin e ngërçit institucional dhe në gjetjen e një zgjidhjeje për zgjedhjen e presidentit të vendit.

I pyetur nëse LDK-ja do të marrë pjesë në takimin e thirrur për të martën nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, Hoti tha se partia do të dalë me njoftim zyrtar.

“Besoj se do të keni një njoftim zyrtar nga Lidhja Demokratike e Kosovës lidhur me këtë çështje”, deklaroi ai.

Hoti bëri të ditur se kjo çështje është diskutuar gjerësisht brenda strukturave të LDK-së dhe se partia ka vendosur t’i japë mundësi ecjes përpara me themelimin e institucioneve.

Sipas tij, LDK-ja ka hequr dorë nga kërkesa për balancë mes institucioneve, në mënyrë që të kontribuojë në zhbllokimin e situatës.

“Kemi treguar gatishmërinë tonë që në fazën kur vijmë te diskutimi për të zgjedhur presidentin, të jemi konstruktivë në gjetjen e një zgjidhjeje të përshtatshme dhe të pranueshme për gjithë spektrin politik”, tha Hoti.

Ai shtoi se partia që ka dalë e para në zgjedhje, së bashku me partnerët e saj, i ka votat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, ndërsa më pas mund të hapen diskutimet për presidentin.

Hoti theksoi se LDK-ja është e gatshme të kontribuojë në arritjen e një kandidature për president që do të ishte e pranueshme për palët politike.

Ai përsëriti gjithashtu kërkesën e LDK-së për thirrjen sa më parë të seancës konstituive të Kuvendit, duke thënë se nuk ka arsye për vonesa të mëtejshme.

(Unaza Online)

POSTIMET E FUNDIT

spot_img
spot_img
spot_img

TË NGJASHME

spot_imgspot_img