Kafeja, në sasi të moderuara, nuk duket të jetë armiku i zemrës. Por jo të gjitha kafetë janë njësoj dhe rëndësi ka edhe mënyra se si përgatiten. Ja çfarë tregojnë të dhënat më të fundit.
Ka nga ata që nuk e imagjinojnë dot mëngjesin pa kafe, të tjerë që e pinë pas drekës, ndërsa disa e shoqërojnë me një tjetër në mes të pasdites. Për shumë njerëz, kafeja është kthyer në një ritual të përditshëm, një moment pushimi dhe një nga zakonet më të vështira për t’u hequr.
Por sa kafe mund të pimë pa e tepruar? Dhe a është në të vërtetë kafeja e mirë apo e keqe për shëndetin?
Një dokument i ri shkencor i Shoqatës Amerikane të Zemrës (American Heart Association – AHA) ka analizuar të dhënat më të fundit mbi kafeinën dhe shëndetin kardiovaskular. Përfundimi kryesor është qetësues për ata që e duan kafenë: për shumicën e të rriturve të shëndetshëm, deri në 400 miligramë kafeinë në ditë konsiderohen përgjithësisht të sigurta. Kjo sasi korrespondon afërsisht me 3–5 filxhanë kafeje të zakonshme.
Por ka një sqarim të rëndësishëm: 3–5 filxhanë nuk do të thotë domosdoshmërisht 3–5 espresso.
Sasia e kafeinës ndryshon në varësi të llojit të kafesë, sasisë së përdorur dhe mënyrës së përgatitjes. Prandaj, më shumë sesa të numërojmë filxhanët, duhet të kemi parasysh sasinë totale të kafeinës që marrim gjatë ditës. Dhe ajo nuk gjendet vetëm te kafeja, por edhe te çaji, çokollata, disa pije të gazuara dhe pijet energjike.
(Unaza Online)



