Albin Kurti në Paris takohet me personalitete franceze

spot_imgspot_img

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Paris, është takuar me disa personalitete franceze që ndër vite kanë dhënë kontribut në mbështetjen e Kosovës.

Në këtë takim janë diskutuar zhvillimet politike, ekonomike dhe të sigurisë në vend, si dhe aktgjykimi i 16 shtatorit në Hagë dhe mundësitë për kundërshtimin e tij përmes procedurës së apelit.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në takim morën pjesë ish-ministri francez i Mbrojtjes, Alain Richard, ish-zyrtari i lartë i Ministrisë franceze të Mbrojtjes, Gilles Pernet, antropologia Véronique Nahoum-Grappe, drejtoresha e Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris, Frédérique Duversin, si dhe ish-gazetarja e gazetës “Le Monde” dhe ish-zëdhënësja e kryeprokurores së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, Florence Hartmann.

Gjatë takimit, Kurti ka folur për zhvillimin demokratik dhe ekonomik të Kosovës, investimet në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe për angazhimet lidhur me aktgjykimin e 16 shtatorit.

“Biseduam për përparimin demokratik dhe zhvillimin e qëndrueshëm e të vazhdueshëm ekonomik, për investimet në siguri e në mbrojtje, për aktgjykimin e padrejtë të 16 shtatorit dhe angazhimin për korrigjimin e tij në apel”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri ka prezantuar gjithashtu prioritetet e qeverisë për mandatin e ri, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së Francës në procesin e integrimit euroatlantik të Kosovës.

Takimi është zhvilluar në kuadër të vizitës së Kurtit në kryeqytetin francez, ku ai pritet të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, gjatë takimit është vlerësuar edhe kontributi i personaliteteve franceze në mbështetjen e Kosovës ndër vite.

(Unaza Online)

POSTIMET E FUNDIT

spot_img
spot_img
spot_img

TË NGJASHME

spot_imgspot_img