Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar që zhvillimi ekonomik të jetë prioritet kryesor i Qeverisë, duke theksuar rëndësinë e sektorit privat dhe krijimit të kushteve për investime.
Sipas Haradinajt, institucionet duhet të bashkëpunojnë me bizneset dhe investitorët vendorë e të huaj, duke ofruar politika fiskale të përshtatshme dhe siguri për investime.
Ai ka theksuar se zhvillimi ekonomik duhet të jetë baza mbi të cilën ndërtohen politikat e tjera që ndikojnë në mirëqenien e qytetarëve, përfshirë sigurimet shëndetësore dhe përballimin e kostos së jetesës.
Investimet e huaja direkte konsiderohen një faktor i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Megjithatë, pavarësisht rritjes së tyre, vazhdojnë diskutimet për përbërjen e këtyre investimeve, pasi një pjesë e konsiderueshme lidhet me diasporën dhe sektorin e patundshmërive.
Ndërkohë, masat qeveritare për përmirësimin e mirëqenies kanë përfshirë rritjen e pagave në sektorin publik dhe subvencionimin e punësimit në sektorin privat përmes platformës “Superpuna”, e cila mbulon 350 euro në muaj për gjashtë muajt e parë të punësimit.
Megjithatë, ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se rritja e pagave nuk ka garantuar domosdoshmërisht përmirësim të standardit të jetesës, për shkak të inflacionit dhe rënies së fuqisë blerëse.
(Unaza Online)



