Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë bërë të ditur se ende nuk është caktuar data për shpalljen e aktgjykimit në rastin e Hashim Thaçit dhe të bashkakuzuarve, lidhur me akuzat për administrim të drejtësisë.
Dhomat e Specializuara kanë sqaruar se pas përfundimit të çështjes nga gjyqtari i vetëm i gjykimit, Christopher Gosnell, ai ka një afat prej 90-ditësh për të nxjerrë aktgjykimin.
“Nëse ka nevojë për më shumë kohë, ai mund ta zgjasë këtë afat edhe për 60 ditë të tjera. Zgjatje të mëtejshme janë të mundshme në rrethana të jashtëzakonshme”, thuhet në përgjigje.
Megjithatë, deri më tani, Gosnell nuk ka caktuar një datë për shpalljen e aktgjykimit.
Sa i përket dënimit të mundshëm, Dhomat e Specializuara kanë theksuar se kjo çështje i takon Gosnell-it për ta vendosur.
Dhomat e Specializuara pohuan se, gjatë përcaktimit të dënimit, gjyqtarët përgjithësisht marrin parasysh diapazonin e dënimit të paraparë me ligj, rrethanat personale të personit të dënuar, si dhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese.
(Unaza Online)



