Rindërtimi i industrisë së naftës në Venezuelë kërkon një shtet demokratik dhe sundim të ligjit, në mënyrë që investitorët të kenë besim afatgjatë dhe politikat të jenë të qëndrueshme.
Nga Imdat Oner
Demokracia nuk është vetëm çështje legjitimiteti politik. Në rastin e Venezuelës, ajo lidhet drejtpërdrejt me kushtet ekonomike që duhen për të tërhequr investime serioze dhe afatgjata. Kompanitë që investojnë miliarda dollarë në projekte që zgjasin për dekada duhet të jenë të sigurta se kontratat do të respektohen edhe pas ndryshimeve politike, se pronat do të mbrohen dhe se gjykatat do të mund të kufizojnë pushtetin e qeverisë. Rezervat e mëdha të naftës së Venezuelës nuk mjaftojnë për të larguar pasigurinë se kush do ta drejtojë vendin dhe cilat rregulla do të zbatohen në të ardhmen.
Hezitimi i Exxon Mobil dhe Conoco Phillipse tregon qartë problemin. Të dyja kompanitë e njohin mirë Venezuelën dhe kanë arsye të forta ekonomike për t’u rikthyer. Por ngurrimi i tyre lidhet me historinë e shpronësimeve, ndryshimeve të vazhdueshme të rregullave dhe mungesës së mbrojtjes së duhur ligjore.
Drejtori i përgjithshëm i Exxon Mobil, Darren Woods, e ka cilësuar Venezuelën “të painvestueshme” në kushtet aktuale dhe ka kërkuar mbrojtje më të fortë për investitorët, si dhe ndryshime në ligjet që rregullojnë sektorin e hidrokarbureve. Exxon Mobil ka parë dy herë asetet e saj në Venezuelë të sekuestrohen. Edhe Conoco Phillips ka vënë theksin te stabiliteti i politikave, siguria, sundimi i ligjit, konkurrenca në treg dhe mekanizmat për zgjidhjen e detyrimeve që Venezuela ende nuk i ka shlyer.
Mesazhi i këtyre kompanive është i qartë: Venezuela nuk ka mungesë burimesh. Ajo ka mungesë të institucioneve të besueshme që u japin investitorëve siguri për të ardhmen. Kjo mund ta bëjë strategjinë aktuale për sektorin e naftës të dështojë në qëllimin e saj. Rindërtimi i industrisë energjetike të Venezuelës do të kërkojë investime gjigante në prodhim, infrastrukturë dhe shërbime. Investimet e tilla nuk mund të bazohen vetëm te çmimi i naftës sot apo te dëshirat e qeverisë së sotme. Investitorët duhet të dinë nëse marrëveshjet e nënshkruara sot do të respektohen edhe nëse nesër ndryshon qeveria në Karakas.
Prandaj, qeveria e Delcy Rodriguez-it nuk duhet parë si një shkëputje e plotë nga epoka e Maduros vetëm sepse po bashkëpunon me Uashingtonin dhe po hap ekonominë ndaj investimeve të huaja. Nëse rrjetet politike dhe mënyra e qeverisjes që mbajtën në këmbë sistemin e mëparshëm vazhdojnë të ekzistojnë, atëherë edhe rreziqet politike mbeten.
Ekziston edhe një problem tjetër. Edhe administrata Trump një ditë do të largohet nga pushteti. Një president i ardhshëm amerikan mund të ndryshojë politikën e sanksioneve, të rishikojë marrëdhëniet me Karakasin ose t’i japë më shumë rëndësi demokracisë. Kjo do të thotë se një strategji për Venezuelën e mbështetur te marrëdhënia mes një administrate amerikane dhe një qeverie venezuelase të pazgjedhur është e brishtë dhe mund të preket nga ndryshimet politike në të dyja vendet.
Për këtë arsye, Uashingtoni duhet të mos i shohë më rindërtimin ekonomik dhe tranzicionin demokratik si dy objektiva të veçantë. Ato ecin bashkë dhe forcojnë njëri-tjetrin.
Zgjedhjet, të vetme, nuk do ta rindërtojnë Venezuelën. Vendi do të ketë ende nevojë për reformë të sistemit gjyqësor, investime në infrastrukturë, ristrukturim të borxhit, reformim të sektorit energjetik dhe forcim të sigurisë publike. Por zgjedhje të lira e konkurruese, institucione të pavarura zgjedhore dhe kontrolle reale mbi pushtetin ekzekutiv mund të krijojnë kushtet politike që këto reforma të zgjasin. Një qeveri që gëzon legjitimitet demokratik është gjithashtu më e aftë të negociojë marrëveshje që qeveritë dhe grupet politike të ardhshme do ta kenë më të vështirë t’i përmbysin.
Shtetet e Bashkuara kanë sot një ndikim të madh mbi Venezuelën. Uashingtoni mund ta përdorë këtë ndikim për të siguruar akses te nafta dhe për të rritur prodhimin. Por mund ta përdorë edhe për të nxitur reformat institucionale që do t’i bënin këto investime të qëndrueshme në kohë. Shtetet e Bashkuara nuk kanë pse t’i diktojnë Venezuelës të ardhmen politike. Ato duhet të ndihmojnë në krijimin e kushteve që vetë venezuelasit ta përcaktojnë të ardhmen e tyre përmes institucioneve legjitime.
Ky është testi i vërtetë për politikën e Trump-it ndaj Venezuelës. Pyetja nuk është nëse Uashingtoni mund të bëjë sot një marrëveshje të favorshme me Venezuelën. Pyetja është nëse mund të ndihmojë në ndërtimin e një Venezuela ku kompanitë amerikane do t’u besojnë këtyre marrëveshjeve edhe pas 20 vitesh.
Nëse Trump dëshiron që Venezuela të jetë një sukses afatgjatë i politikës së jashtme amerikane, demokracia nuk mund të lihet për më vonë, pasi të rindërtohet sektori i naftës. Demokracia është një nga kushtet që do ta bëjë të mundur pikërisht atë rindërtim. /Washington Examiner



