Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka bërë të qartë se nuk ia ka deleguar votën askujt duke kundërshtuar marrëveshjen politike për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.
Bajrami ka thënë se votat që ka marrë nga qytetarët nuk i janë dhënë për të qenë “numër në Kuvend” dhe as për t’ia zgjatur pushtetin kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
“Nuk e kam deleguar votën te askush”, ka deklaruar Bajrami.
Ajo ka thënë se besimin e qytetarëve e ka marrë për të qenë zë kundër, siç e quan ajo, keqqeverisjes së Kurtit, si dhe për të mbrojtur interesin e vendit dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Sipas Bajramit, është e papranueshme që në emër të zgjidhjes së krizës institucionale, LDK-ja të bëhet pjesë e një marrëveshjeje që, sipas saj, ia zgjat pushtetin e koncentruar Kurtit.
“Po, Kosova ka nevojë për institucione funksionale, por Kosova ka nevojë mbi të gjitha për balancë institucionale, kontroll demokratik dhe llogaridhënie”, ka shkruar ajo.
Bajrami ka paralajmëruar se përqendrimi i fuqisë institucionale në duart e një partie dhe një personi nuk është zgjidhje, por “rrezik për demokracinë dhe dëm për shtetin”.
Ajo ka theksuar se është kundër zgjedhjeve të reja, por ka kundërshtuar që shmangia e tyre të përdoret si arsye për t’i detyruar deputetët të votojnë një marrëveshje të cilën, sipas saj, nuk e kanë diskutuar paraprakisht.
“Askush nuk mund ta negociojë votën e një deputeti dhe pastaj, nëse nuk e merr atë votë, ta bëjë deputetin përgjegjës për zgjedhje të reja”, ka deklaruar Bajrami.
Deputetja e LDK-së ka ngritur edhe çështjen e afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit duke thënë se zgjedhja e Presidentit nuk i shmang automatikisht zgjedhjet e reja, pasi, sipas saj, Kuvendi ka kaluar afatin 30-ditor për konstituim.
Bajrami ka thënë se deri në përfundim të angazhimit të saj politik do të vazhdojë ta përfaqësojë besimin e qytetarëve dhe të votojë sipas bindjes së saj dhe interesit të vendit.
“53,788 vota nuk janë vetëm privilegj, janë përgjegjësi dhe këtë përgjegjësi nuk ia delegoj askujt”, ka përfunduar ajo.
(Unaza Online)



