Kjo është gruaja më e vjetër në Shqipëri e cila ka festuar 117-vjetorin e lindjes

spot_imgspot_img

Qamile Marra, e konsideruar gruaja më e vjetër në Shqipëri, ka festuar 117-vjetorin e lindjes në familjen e saj në fshatin Ferras të Beratit. E rrethuar nga familjarët, ajo vijon të jetojë me një vitalitet të rrallë, ndërsa të afërmit i drejtojnë një apel shtetit për sigurimin e një pensioni special.

117-vjeçarja jeton prej vitesh nën kujdesin e djalit të saj, Hysenit, i cili vetë ka kaluar të 80-at dhe nuses së tij, Raimës. Pavarësisht moshës dhe problemeve të veta shëndetësore, i biri vijon t’i qëndrojë pranë nënës së tij dhe të kujdeset për të.

Sipas familjarëve, Qamilja gëzon një gjendje të mirë shëndetësore, nuk vuan nga ndonjë sëmundje dhe nuk merr ilaçe. Madje, ajo vijon të jetë aktive në jetën e përditshme dhe kryen vetë një pjesë të punëve të shtëpisë.

Rutina e saj e përditshme nis në mëngjes, kur 117-vjeçarja ngrihet dhe merret me punët e oborrit. Ajo kujdeset edhe për pulat, duke treguar një energji që, sipas familjarëve, i ka shoqëruar gjithë jetën.

Qamile Marra ka rritur shtatë fëmijë, ka punuar për vite në bujqësi dhe ka parë pesë breza të familjes së saj. Ushqimet kryesore në familje janë mishi i shpendëve dhe bulmeti, pjesërisht të siguruara nga vetë familja.

Por përtej jetëgjatësisë dhe shëndetit të saj, familja përballet me vështirësi ekonomike. Djali i 117-vjeçares jeton me një pension prej 9 400 lekësh dhe së bashku me bashkëshorten e tij, e ka të vështirë të përballojë të gjitha shpenzimet e familjes dhe nevojat e nënës së moshuar.

Për këtë arsye, familjarët kërkojnë nga institucionet shtetërore që Qamiles t’i akordohet një pension special, në vlerë më të lartë se pensioni aktual.

(Unaza Online)

POSTIMET E FUNDIT

spot_img
spot_img
spot_img

TË NGJASHME

spot_imgspot_img