Astronomët kanë bërë një zbulim të jashtëzakonshëm duke përdorur teleskopin hapësinor James Webb, duke identifikuar tre vrima të zeza që ndodhen në të njëjtën galaktikë të largët.
Bëhet fjalë për galaktikën J0148−4214, ku studiuesit kanë gjetur tre vrima të zeza aktive që ndodhen relativisht pranë njëra-tjetrës. Zbulimi mund të ndihmojë shkencëtarët të kuptojnë më mirë mënyrën se si janë formuar dhe janë rritur vrimat supermasive në universin e hershëm.
Sipas të dhënave të raportuara, njëra prej vrimave të zeza ka masë rreth 80 milionë herë më të madhe se Dielli, ndërsa dy të tjerat janë dukshëm më të vogla.
Njëra prej tyre po ushqehet me materie me një ritëm jashtëzakonisht të lartë, duke i sfiduar disa nga modelet aktuale që përshkruajnë kufijtë e rritjes së vrimave të zeza.
Zbulimi u jep astronomëve një mundësi të rrallë për të studiuar ndërveprimin mes vrimave të zeza dhe evolucionin e galaktikave në periudhat më të hershme të historisë së universit.
(Unaza Online)



